A e duam me të vërtetë Zotin?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.07.2007

Parathënie

Një nga të vërtetat më të rëndësishme, që mund ta vëmë në praktikë është kjo: Perëndia lavdërohet, atëherë kur ne e nderojmë Atë në jetën tonë të përditshme. Ky nder është reflektim i dashurisë që kemi për Të, jo vetëm për gjithçka që ka bërë Ai për ne, por gjithashtu edhe për faktin se kush është vetë Ai. Qëllimi ynë, në çfarëdo lloj pune që të bëjmë, duhet të jetë të lavdëruarit e Perëndisë me anë të mënyrës, me të cilën e kryejmë atë lloj pune: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Korintasve 10:31). Kjo do të thotë se qëllimi ynë është që të bëjmë gjithçka në mënyrë të atillë, që tregon sesa shumë e duam Perëndinë. Krishti duhet të jetë Ai, që na i plotëson dëshirat e zemrës, me qëllim që të tjerët ta shohin se Ai është me të vërtetë Zoti ynë: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje” (Gjoni 6:35).

Të nderuarit e Perëndisë

Lavdia e bukës qëndron tek fakti se ajo të ngop. Lavdia e ujit qëndron tek fakti se ai ta shuan etjen. Ashtu siç një përrua uji nuk ka nevojë që t’i çojmë ne kova me ujë, të mbushura prej çezmave tona, që të mos shterrojë, ashtu edhe Perëndia nuk ka nevojë për ne, që ta ngopim. Është Ai, që na ngop, me qëllim që të mund ta jetojmë jetën e krishterë: “Sepse Perëndia është Ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të Tij” (Filipianëve 2:13). Për këtë arsye, Zoti duhet të jetë kënaqësia jonë e përditshme, sepse në këtë mënyrë, e tregojmë se e duam: “Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe Ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek Ai dhe Ai ka për të vepruar” (Psalmi 37:3-5).

Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk gjejnë kënaqësi në Perëndinë, por atyre iu është thënë se e kanë për detyrë për ta lavdëruar Atë. Ata që ndjekin rrugën e detyrimit fetar, i thonë botës se Perëndia nuk iua përmbush nevojat që kanë. Të gjesh kënaqësinë tënde në Perëndinë nuk është diçka shtesë, por është esenca e vërtetë e jetës së krishterë. Nëse vërtet e duam Atë, që na deshi, atëherë duhet të jetë kënaqësi për ne që t’i shërbejmë e ta nderojmë: “I shërbeni Zotit me gaz” (Psalmi 100:2)… “Gëzohuni gjithnjë në Zotin” (Filipianëve 4:4).

Dhuratat apo lavdia e Perëndisë?

Lutja jonë është që pjesëtarët e familjes, të afërmit, miqtë e komshinjtë të vijnë në besim e ta kuptojnë se mirësia e Perëndisë “vlen më tepër se jeta” (Psalmi 63:3). Nëse kjo mirësi vlen më tepër se vetë jeta, atëherë ajo vlen më tepër se gjithçka tjetër që mund të na ofrojë kjo jetë në këtë botë. Kjo do të thotë se nuk janë dhuratat e Perëndisë ato që na ngopin, por lavdia e Tij: lavdia e dashurisë së Tij, lavdia e fuqisë së Tij, lavdia e mençurisë së Tij, e shenjtërisë, e drejtësisë, e mirësisë dhe e së vërtetës.

Prandaj edhe autori i psalmit 73 thirri: “Cilin kam në qiell veç Teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç Teje. Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi” (Psalmi 73:25-26). Nuk ka asgjë mbi tokë që të na ngopë. Madje as edhe dhuratat e mira që ka krijuar Perëndia, nuk na i përmbushin dëshirat e zemrës. Vetëm vetë Perëndia na jep kënaqësi të vërtetë. Këtu e kishte fjalën edhe Davidi, kur i tha Zotit: “I thashë Zotit: “Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje” (Psalmi 16:2).

Jetë që kanë në qendër Perëndinë

Nëpërmjet dëshirës së tij për ta patur Perëndinë në qendër të jetës, autori i psalmit 90 na mëson se dhuratat e shëndetit, të pasurisë dhe të begatisë, që na jep Perëndia, nuk na ngopin. Vetëm Perëndia mund ta kënaqë vërtet shpirtin e njeriut: “Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona” (Psalmi 90:14). Natyrisht që duhet ta falenderojmë Zotin për të gjitha bekimet, që na derdh në jetën tonë: “Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë” (Psalmi 103:2). Por do të ishte idhujtari, po ta quanim kënaqësinë që marrim prej këtyre bekimeve, dashuri për Perëndinë. Kur Davidi i tha Zotit: “Ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11), ai e kishte fjalën tek fakti se të qënit afër vetë Perëndisë është një përvojë që të ngop pa masë, gjatë gjithë jetës së përditshme.

Davidi nuk ishte i dhënë pas dhuratave të Perëndisë, kur i tha Atij: “Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?” (Psalmi 42:1-2). Davidi donte që të përjetonte çdo ditë një zbulim të fuqisë dhe të lavdisë së Perëndisë: “O Perëndi, Ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për Ty; Ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë. Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën Tënde dhe lavdinë Tënde” (Psalmi 63:1-2). Vetëm Perëndia do ta ngopë një zemër si atë të Davidit. Davidi ishte njeri sipas zemrës së Perëndisë (shiko Veprat e Apostujve 13:22). Kështu u krijuam që të jemi edhe ne.

Ta duash Perëndinë do të thotë të gjesh kënaqësi në Të. Ta duash Perëndinë do të thotë t’i zbatosh të gjitha urdhërimet e Tij: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e Mia” (Gjoni 14:15). Ta duash Perëndinë do të thotë t’i besosh çdo fjale të Tij në Bibël dhe ta falenderosh Atë për të gjitha dhuratat e Tij. Por, thelbi i dashurisë për Perëndinë gjendet në ata që e nderojnë Atë për faktin se kush është vetë Ai. Thelbi i dashurisë për Perëndinë është të gjeturit e kënaqësisë sonë në Të dhe kjo i sjell Atij lavdi.

Përfundim

A ndihemi të nderuar prej dashurisë së atyre që na shërbejmë, ngaqë e kanë për detyrë, apo prej atyre që na shërbejnë, ngaqë e kanë për kënaqësi të jenë miqtë tanë të krishterë? Kështu është puna edhe me Perëndinë: Ai merr lavdi, kur ne kënaqemi në Të. Askush prej nesh nuk ia ka arritur akoma të paturit e një kënaqësie të përsosur në Perëndinë. Sa herë dëshpërohemi e mërzitemi, kur na humbin gjërat e kësaj bote (p.sh. rehati, prona, etj.)! Por e kemi shijuar se “Zoti është i mirë” (Psalmi 34:8). Me anë të hirit të Perëndisë, tani e dimë se cili është burimi i gëzimit të përjetshëm, ndaj edhe dëshirojmë që edhe të tjerët të vijnë e ta shijojnë të njëjtin burim: “Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e Tij” (Psalmi 27:4).   

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net