A do ta njohim njëri-tjetrin në Qiell?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 20.03.2007

Parathënie
Ata që nuk e njohin Krishtin, kujtojnë se fytyra e parë që do të shohin pas vdekjes, do të jetë fytyra e një të afërmi apo e një miku. Pasuesit e feve të rreme shpresojnë se do të shohin fytyrën e perëndisë së tyre. Ata që i besojnë Biblës, e dinë se do të shohin Shpëtimtarin, i cili vdiq për ta mbi kryq: “Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:8). Por, si do ta njohim Jezusin, kur nuk e kemi parë asnjëherë fytyrën e Tij? Sapo ta shohim Jezusin, mes nesh dhe Atij do të egzistojë një lidhje e menjëhershme shpirtërore, dhe ne do ta njohim. Po ta themi me fjalë të tjera, do ta njohim dhe pikë!

A ka ndonjë arsye se përse nuk do t’i njohim dot besimtarët e tjerë në Qiell? Do kemi një përjetësi të tërë për t’u kënaqur me shoqërinë e të afërmve dhe miqve tanë që janë të shpëtuar, ndërkohë që do të adhurojmë rreth Fronit të Perëndisë. E vërteta qëndron këtu se, kur të arrijmë në Qiell, nuk do të na shkojë mendja tek takimi sërish me ata që i duam, përkundrazi, do të dëshirojmë të shohim Zotin.

Çfarë thotë Bibla?
A na sugjeron Bibla ndonjëherë se ne nuk do ta njohim dot njëri-tjetrin në Qiell? S’ka dyshim se nuk do të përplasemi me dikë, të cilin e kemi njohur më parë në tokë, dhe t’i themi: “Oh, nuk të njoha fare! Sa paske ndryshuar!”

Mbreti David besoi se do ta shihte përsëri të birin: “Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj? Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!” (2 Samuelit 12:22-23). Si do të mund ta dallonte ai të birin në Qiell, në një kohë që në kujtesën e tij ruhej imazhi i një bebeje të sapolindur? Por, kur Davidi u takua përsëri me djalin e vet, mes tyre egzistoi ajo lidhje e menjëhershme shpirtërore.

Ne nuk e mbajmë mend fytyrën e Jezusit, por e dimë se Ai nuk i ngjan as ndonjë aktori, që ka luajtur rolin e Tij nëpër filma, dhe as ndonjërës prej atyre mijëra pikturave fetare. Sapo t’i hapim sytë në anën tjetër të përjetësisë, do ta dimë me saktësi se kush është Jezusi: “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2). Nuk do të kemi nevojë që të na e tregojë dikush Zotin me gisht, sepse sido që të jetë, kur të shohim ato duar dhe këmbë të shpuara nga gozhdët, nuk do të dyshojmë fare nëse është Ai apo jo! Fakti qëndron këtu se, po të mos jemi të bashkuar me Të përsa kohë që jetojmë në tokë, atëherë nuk do të takohemi përsëri me Të në Qiell. Shoqëria që kemi tani me Jezusin, duhet të na çojë drejt e në përjetësi. Shumë njerëz e njohën Jezusin pasi u ringjall: “Jezusi i tha: “Mari!”. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: “Rabboni!”, që do të thotë: Mësues…Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan…Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes”. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?”, duke ditur se ishte Zoti…se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve” (Gjoni 20:16, 20; 21:12; 1 Korintasve 15:4-7).

“Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve” (Mateu 8:11). A nuk do të jetë bekim i vërtetë të ulesh rreth tryezës dhe të bisedosh me Abrahamin, Isaakun, Jakobin dhe me personazhe të tjera biblike? Sipas vargut të mësipërm, ne do t’i njohim ata me emër.

Trupat tanë fizikë do të pësojnë një transformim shpirtëror, në momentin e vdekjes (ose në momentin kur Jezusi të vijë dhe të marrë në Qiell shenjtorët/besimtarët e Tij): “Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror. Kështu edhe është shkruar: “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë. Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit. Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen. Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë” (1 Korintasve 15:42-53). Të metat, defektet dhe problemet e tjera fizike do t’i përkasin së kaluarës. Do të jemi të përsosur nga të gjitha anët. Shumica e komentatorëve biblike sugjerojnë se të gjithë do të kemi të njëjtën moshë në Qiell, pavarësisht sesa të rinj apo të vjetër kemi qenë në momentin e vdekjes. Do ta njohim njëri-tjetrin, sepse do të kemi njohuri të përsosur.

Përfundim
E përse nuk do të na lejojë Perëndia që të kënaqemi në shoqërinë e njëri-tjetrit në Qiell? Jezusi tha: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend” (Gjoni 14:2). S’ka dyshim se në Qiell askush nuk do të na ndalojë që t’i ftojmë për vizitë të afërmit apo miqtë tanë të shpëtuar! Nëse dishepujt e njohën Jezusin në trupin e Tij të përlëvduar, atëherë s’ka asnjë arsye se përse ne nuk do ta njohim dot njëri-tjetrin në Qiell. Perëndia nuk do të na shpërndajë karta identiteti, që t’i varim në qafë për t’i parë të gjithë!

Në Qiell, besimtarët do ta kenë mendjen tek Shpëtimtari, dhe jo tek të shpëtuarit. Pa dyshim që të takuarit sërish me ata që i duam, do të jetë një ngjarje e gëzueshme, por kjo nuk ka të krahasuar me momentin kur ta shohim Jezusin për herë të parë. Qielli ka të bëjë më shumë me Perëndinë, sesa me dëshirat dhe ëndrrat tona personale. Pikëpamja jonë mbi përjetësinë është pikëpamje tokësore, prandaj edhe bëjmë pyetje si ajo në fillim të këtij studimi. Por, kur të shkojmë në Qiell, do t’i shohim gjërat ndryshe. Do të vijë dita, kur do ta gjejmë veten, duke adhuruar Zotin në praninë e të shpëtuarve të të gjitha kohërave.

“Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem” (1 Korintasve 13:12).

Ndodhet një vend, që është më i bukur se dita,
Dhe me besim, mund ta shohim që larg;
Aty Ati na përgatit banesën,
Buzë rrugës na pret me mall.
Sa ëmbël atëherë do të jetë,
Kur të takohemi në atë bregdet të bukur!
Sa ëmbël atëherë do të jetë,
Kur të takohemi në atë bregdet të bukur!

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net