Takimi, që s’ka për t’u anulluar prej askujt



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.12.2009

“Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10).
Parathënie
Shpeshherë, harrojmë se kemi një takim me doktorin, apo me dentistin, apo me një shok a shoqe. Herë të tjera na duhet që t’i anullojmë takime të tilla, për arsye të ndryshme. Por ka një takim, që askush nga ne nuk do të ketë mundësi ta anullojë dot. Ky takim është planifikuar prej Zotit për një datë të caktuar, jo atëherë kur të na dojë ne qejfi. Të gjithë do të qëndrojmë një ditë përpara Tij.
Kemi për t’u takuar me Shpëtimtarin
Ky takim është i veçantë, sepse vetëm ata, që janë besimtarë, kanë për të marrë pjesë në të. Ata që janë të humbur, do ta kenë takimin e tyre më vonë. “Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë” (Zbulesa 20:5). Vini re se si, tek vargu në hyrje të këtij studimi, Pali thotë se ne “duhet” të dalim para gjyqit, pa u vonuar, pa bërë justifikime. S’kemi rrugëdalje tjetër. Anjëri prej nesh nuk është i përjashtuar prej këtij takimi, sepse Perëndia na thotë se “të gjithë” duhet të dalim para Tij. Do të takohemi me Atë, që erdhi nga Qielli, për të vdekur në kryq për mëkatet tona, që u ringjall të tretën ditë dhe që na dëgjon, kur i lutemi. Duhet ta përgatisim veten për atë ditë të shënuar.
Kemi për t’u takuar me Perëndinë, që di gjithçka
“Ne të gjithë duhet të dalim” para Tij. Kjo nuk do të thotë thjesht se do ta prezantojmë veten përpara Perëndisë, por se gjithçka rreth nesh, vetë karakteri ynë ka për t’u shfaqur hapur përpara të gjithëve. Ky karakter ka për të na u matur, nëpërmjet “gjërave që [kemi] bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që [kemi] bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen”. Le të mos e harrojmë faktin se Zoti Jezus Krisht di gjithçka rreth nesh, ndaj edhe s’ka për ta patur të vështirë për të na treguar se kush jemi. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:27). Prej Tij, nuk mund të fshihet dot asgjë. “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Hebrenjve 4:13). Kjo do të thotë se nuk mund t’i zbukurojmë dot gjërat, apo të gënjejmë përpara Zotit.
Zoti e di se ç’kemi në mendje. E shikon se ç’bëjmë, kur jemi vetëm, apo me shokë. Ai mban shënim gjithçka: si e kalojmë kohën, si i shpenzojmë paratë. E di se sa të përkushtuar jemi ndaj Tij. Po ta dinim se do ta takonim sot Perëndinë, ç’përgatitje do të bënim në jetën tonë? Ç’qëllim do t’i vinim vetes?
Kemi për t’u takuar me Atë, që na ka thirrur
Perëndia s’na ka shpëtuar, vetëm për të ngrohur karrigen në kishë, por për ta kënaqur Atë. Pali na thotë se jemi ambasadorë. “Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin” (2 Korintasve 5:20). Detyra jonë është që t’iua predikojmë të humburve lajmin e mirë. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19). Jemi thirrur, që të bëhemi drita të shenjta në këtë botë të errët. “Që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës” (Filipianëve 2:15).
Kemi një takim, për të marrë shpërblime
Perëndia ka për t’i dhënë popullit të Tij gjëra shumë më të çmuara, sesa ç’mund të na japë një mbret, apo mbretëreshë e kësaj bote. “Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë” (Zbulesa 22:12). Këto shpërblime do të jenë, si vijon:
a) Kurora e gëzimit, për ata, që kanë kthyer njerëz tek Krishti. “Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij?” (1 Thesalonikasve 2:19).
b) Kurora e drejtësisë, për ata, që mezi e presin ardhjen e Krishtit. “Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Timoteut 4:8).
c) Kurora e jetës, për ata, që kanë vuajtur për kauzën e Krishtit. “Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan” (Jakobi 1:12).
d) Kurora e lavdisë, për ata, që iu kanë mësuar të tjerëve fjalën e Perëndisë. “Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket” (1 Pjetrit 5:4).
Shpërblimi, që do të marrim, varet nga mënyra se si e jetojmë jetën këtu në tokë. “Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit” (1 Korintasve 3:12-15).
   
Përfundim
Këtij takimi po i afrohet gjithnjë e më shumë dita. Nuk e dimë se kur do të ndodhë një gjyq i tillë, por disa prej nesh kanë për t’u takuar me Perëndinë më herët sesa ç’e imagjinonin. Duhet ta vëmë jetën tonë në vijë, duke e ditur rëndësinë e këtij takimi. “Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme” (2 Pjetrit 3:11).     
                    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  

per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts