Shenjtërimi i ditës së Shabatit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 09.01.2007

“Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë”. (Eksodi 20:8-11).

Parathënie
A ka vlerë ky urdhërim i vjetër edhe për shekullin XXI? E diela konsiderohet zakonisht si Shabati i krishterë: një ditë adhurimi dhe pushimi (çlodhjeje), një periudhë kohe, kur ndodhemi në praninë e atyre që mendojnë njësoj si ne, dhe sidomos një ditë e vënë mënjanë për të reflektuar mbi fjalën e Perëndisë. Jetojmë në një epokë ku gjithnjë e më shumë, të krishterët po heqin dorë nga të mbledhurit bashkë (në kishë) me besimtarët e tjerë, dhe po jepen pas të shikuarit të pastorëve në televizor, apo të dëgjuarit të predikimeve nëpërmjet internetit në shtëpi. Perëndia urdhëroi që një ditë në javë të vihej mënjanë, veçantë nga të tjerat. Një devijim sado i vogël nga ky urdhërim sillte si rezultat ndëshkimin më të rëndë. Ai donte që kjo ditë të ishte një ditë për t’u çlodhur, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Përkundrazi, sot kjo ditë është kthyer në një ditë të zakonshme si gjithë të tjerat: një ditë për të punuar, për të bërë pazarin apo për t’ia kushtuar kohën sportit. Ndoshta mendojmë se s’ka problem që të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, meqë Perëndia nuk po na e derdh zemërimin e Tij mbi kokat tona. Por prova e gjykimit të Tij është mëse e qartë: “Fol edhe me bijtë e Izraelit, duke u thënë: Tregoni kujdes të madh për të respektuar të shtunat e mia, sepse është një shenjë midis meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se unë jam Zoti që ju shenjtëron. Do të respektoni, pra, të shtunën, sepse është për ju një ditë e shenjtë; kush e përdhos atë, do të dënohet me vdekje; kushdo që bën atë ditë ndonjë punë, do të shfaroset nga gjiri i popullit të tij. Do të punohet gjashtë ditë; por dita e shtatë është e shtuna e pushimit, e shenjtë për Zotin; kushdo që do të bëjë ndonjë punë ditën e shtunë do të dënohet me vdekje. Andaj bijtë e Izraelit do ta respektojnë të shtunën, duke e kremtuar atë brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme. Ajo është një shenjë e përjetshme midis meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u shlodh” (Eksodi 31:13-17)
A po e trajtojmë të djelën si çdo lloj dite tjetër të javës, apo kënaqemi kur e vëmë atë mënjanë si një ditë për të nderuar Zotin? “U gëzova kur më thanë: “Shkojmë në shtëpinë e Zotit” (Psalmi 122:1). 

Perëndia urdhëron
“Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8).
Neve na është dhënë udhëzimi për ta veçuar një ditë në javë si ditë të shenjtë. Pse pikërisht e djela? A nuk është e shtuna Shabati i vërtetë? Argumentat që kanë lidhje me Shabatin e krishterë na e largojnë vëmendjen nga ajo që kërkon të na thotë Perëndia. Si pasojë, disa njerëz bëhen skllevër të një dite të caktuar, në vend që t’i shërbejnë Zotit me gëzim: “Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna; këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit” (Kolosianëve 2:16-17). Pali thotë tek Romakëve 14:5: “Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij”. Ne nuk nderojmë ditën, por nderojmë Zotin, duke e veçuar një ditë të javës për ta adhuruar Atë me vëllezërit dhe motrat e tjerë. Urdhërimet na mësojnë se duhet ta duam Perëndinë, nuk duhet ta përdorim kot emrin e Zotit, duhet t’i nderojmë prindërit, nuk duhet të vrasim, apo të vjedhim, apo të jemi ziliqarë, apo të japim dëshmi të rreme, apo të shkelim besnikërinë bashkëshortore. A na lejohet atëherë që ta shkelim urdhërimin numër 4?
Vini re urdhërimin që thotë: “mbaj mend”. Të gjithë kemi nevojë t’ia kujtojmë vetes urdhërimin lidhur me Shabatin, përndryshe të gjtha ditët e javës do të na mjegullohen nga gjërat e kësaj bote. Nëse harrojmë ta nderojmë Perëndinë në këtë aspekt, atëherë do të vuajmë në jetën tonë fizike dhe shpirtërore. Po ta trajtojmë Shabatin si një ditë të zakonshme, atëherë do të lëndojmë veten, familjen tonë, dhe më në fund, të gjithë kombin.

Perëndia këshillon   
“Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd” (Eksodi 20:9). 
Java ka gjashtë ditë për të shkuar në punë, për të bërë pazarin, për t’ia kushtuar kohën sporteve dhe argëtimeve. Dita e pushimit është festë, që feston punën krijuese të Perëndisë: “Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer” (Zanafilla 2:2-3). Gjithashtu dita e Shabatit na kujton çlirimin e famshëm të Izraelit nga Egjipti: “Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë” (Ligji i Përtërirë 5:15). Për të krishterin, kjo ditë ishte dita kur anëtarët e kishës së parë mblidheshim së bashku: “Sa për të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët, bëni edhe ju ashtu si i urdhërova kishat e Galatisë. Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash” (1 Korintasve 16:1-2).
Prej nesh Zoti kërkon këto gjëra lidhur me ditën e Shabatit:

1. Pushim
2. Reflektim
3. Qetësim
4. Adhurim
5. Ripërtëritje

Në kohën kur minatorët përdornin gomerë për të transportuar qymyrin thellë nga minierat nëntokë, këto kafshë mbaheshin pothuajse në errësirë të plotë për gjashtë ditët e javës së punës. Por të djelën, ato lejoheshin të kullosnin nëpër fusha në ajër të pastër. Minatorët e dinin se gomerët mund të verboheshin, po qe se nuk bënin një ditë pushim. A është kjo, pra, arsyeja pse sot egziston kaq shumë verbim shpirtëror mes njerëzve?

Mandati i Perëndisë  
“Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë” (Eksodi 20:11).
Një ditë në javë i takon vetëm Perëndisë. Kjo nuk do të thotë se Ai s’duhet të jetë edhe Zot i gjashtë ditëve të tjera të javës! E djela duhet të konsiderohet si dhurata e Tij për kishën (për besimtarët). Bota mund ta përdhosë të djelën, duke menduar se di më shumë se Perëndia, por ne s’duhet të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Shkatërrojmë vetveten, kur stërmundohemi. Perëndia pati qëllime të mira, kur na dha një ditë pushimi. Çnderimi i vullnetit të Tij autoritar ka bërë që shumë njerëz të sëmuren si shpirtërisht, fizikisht, ashtu edhe nga ana mendore. Ata që nuk bëjnë pushim, shumë shpejt bëhen të rraskapitur si bota mëkatare, dhe kurrë nuk janë në gjendje të gjejnë paqe për shpirtrat e tyre. Perëndia kërkon që ne ta vëmë Atë në plan të parë. A ka mënyrë më të mirë për ta realizuar këtë sesa t’ia dedikosh Atij ditën e parë të javës?

Përfundim
Ditët, javët, muajt dhe vitet ikin, ndërkohë që ne nxitojmë sa andej këndej, duke thurur ëndrra dhe shpresa. E presim me padurim atë fundjavë pushimi, apo ato dy javë në vit, kur shkojmë me pushime në ndonjë vend të largët, me shpresën se do ta heqim mendjen nga streset e jetës së përditshme. Perëndia na ka dhënë një ditë pushimi çdo javë (në anglisht fjala ‘ditë pushimi’ është njësoj si fjala ‘ditë e shenjtë’: ‘holiday’ ose ‘holyday’). Ai na fton ta kalojmë këtë ditë me shoqërinë më të mirë në botë, Zotin vetë. Atyre që janë “të munduar dhe të rënduar”, Perëndia iu ofron çlodhje, nëse ata do të vijnë tek Ai dhe do të mësojnë prej Tij (Mateu 11:28-30), sepse Ai është “Princ i paqes” (Isaia 9:6). 
Vetë jeta na ngarkon një barrë të rëndë mbi supe, por “Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë. Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat. Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes” (Hebrenjve 4:9-11).

Nga Pastor Gary J. Hall

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts