Gjashte kushtet e rilindjes



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 10.01.2007

Parathënie
Kemi nevojë të madhe për një rilindje të dërguar nga Qielli në kishat tona, në shoqërinë dhe në kombin tonë. Por bekimi i rilindjes jepet me kusht. Po nuk iu bindëm ligjeve dhe standarteve të Perëndisë, atëherë do të jetë vështirë të përjetojmë një vizitë të Zotit në brezin tonë.

Më poshtë do të shohim 6 kushtet e rilindjes. Këto kushte nuk janë hapa drejt rilindjes, por ato duhet të egzistojnë në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtën kohë.

Kushti 1: Ta kuptojmë se na duhet urgjentisht një rilindje
“Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë. Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë! Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime. Sepse ti thua: “Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë”; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur. Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh. Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu. Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua. Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave” (Zbulesa 3:14-22).

Kisha në Laodice nuk e vuri re nevojën që kishte për t’u rilindur. Anëtarët e saj ishin bërë të përgjumur, kishin zënë rehat dhe ishin pa Krishtin. Ata e konsideronin veten si të bekuar me bollëk prej Perëndisë, por në realitet, ishin të verbuar shpirtërisht dhe të dobët në sytë e Perëndisë. Kisha e ditëve tona nuk ndryshon shumë prej kishës së Laodicesë, dhe vuan nga e njëjta pamaturi dhe vetë-kënaqësi si ajo. “Qortimi” i Jezusit duhet të kishte shkaktuar pendim (vargu 19), por fjalët e Tij ranë në vesh të shurdhër. Atë e lanë përjashta kishës (vargu 20). Sot egziston një nevojë e madhe dhe urgjente për rilindje.

Kushti 2: Ta kuptojmë se rilindja është e mundur
“Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni” (Mateu 21:22).

Rilindja nuk vjen nëpërmjet emocioneve, apo nëpërmjet veprimtarive të drejtuesve të ndryshëm të kishës. Ajo vjen nga Qielli si rezultat i lutjeve. S’ka dyshim që fjala “gjithçka” në tekstin e mësipërm, përfshin gjithçka që është në përputhje me vullnetin e përsosur të Perëndisë! Prandaj, rilindja është e mundur për ata që luten dhe besojnë, sepse Perëndia nuk gjen kënaqësi kur ne jemi të vakët. Nganjëherë na vjen zor që të pranojmë dhurata, por duhet ta mbajmë mend se Perëndia është më i gatshëm sesa ne për të na dhënë bekime, edhe kur ne s’jemi aq të gatshëm për t’i pranuar ato. “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mateu 19:26).

Kushti 3: Ta kuptojmë se Perëndia dëshiron rilindje
“Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua shumë” (Hosea 14:4).

Perëndia dëshiron që t’i kthejë kishës së Krishtit lavdinë që ajo kish dikur tek Ai. Edhe tani, në këtë fazë të fundit, Ai është gati ta derdhë bekimin e Tij mbi të gjithë ata që kthehen tek Ai dhe pendohen: “Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: “Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona” (Hosea 14:2). Ata që veprojnë në këtë mënyrë, do të jetojnë me anë të fjalës së Perëndisë në shenjtëri dhe në drejtësi: “Kush është i urtë, t’u kushtojë kujdes këtyre gjërave. Kush ka mend le t’i kuptoje ato. Sepse rrugët e Zotit janë të drejta; të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen” (Hosea 14:9). Ah, sikur ta dëgjonim zërin e Tij! “Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!” (Psalmi 81:13). Kjo thirrje vjen prej Perëndisë, i cili na vështron tek rrëzohemi nga njëra ditë e pafuqishme në tjetrën.

Kushti 4: Ta kuptojmë se ne duhet ta dëshirojmë rilindjen
“Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë? Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë. Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim. Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij” (Psalmi 27:1-4).

Rilindja është personale, d.m.th. ajo fillon tek çdo individ që i përgjigjet thirrjes së Perëndisë. Ndoshta kemi dëshirë ta përjetojmë gëzimin dhe ngazëllimin që na sjell rilindja, por a e dëshirojmë Zotin e rilindjes, dhe a duam që të qeverisemi nga Fryma e Shenjtë? Dëshira për rilindje duhet të përfshijë vendosmërinë për t’ia përkushtuar veten shërbesës së Perëndisë gjatë gjithë ditëve të jetës sonë.

Kushti 5: Ta kuptojmë se rilindja kushton shumë
“Pastaj u tha të gjithëve: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë” (Luka 9:23-24).

A jemi gati të paguajmë çmimin më të lartë për rilindjen? Sa shumë njerëz duan të shkojnë në parajsë, por nuk janë të gatshëm ta humbasin jetën për hir të Krishtit? Sa shumë njerëz e dëshirojnë rilindjen, por nuk janë gati t’i sakrifikojnë dëshirat e mishit (trupit) të tyre? Përkushtimi ndaj Zotit do të thotë që ta marrësh çdo ditë kryqin dhe ta ndjekësh Atë, kudo që të shkojë Ai. Kryqi bën fjalë për sakrifikim, ndarje nga bota, shenjtërim dhe shërbim ndaj Perëndisë. Çmimi për t’i shkuar pas Jezusit është jashtëzakonisht i madh, sepse Ai kërkon gjithçka nga ne. Rilindja nuk vjen falas, por vjen me një çmim që pak veta janë gati ta paguajnë. Shumë pak veta duan ta marrin në konsideratë bindjen dhe shenjtërinë.

Kushti 6: Ta kuptojmë se rilindjes duhet t’i shkojmë nga pas
“Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket” (Luka 11:9-10).  

Ndoshta jemi lutur, kemi besuar dhe e kemi dëshiruar rilindjen. Ndoshta e kemi dorëzuar jetën tonë për kauzën e rilindjes, por duket sikur asgjë s’ka ndryshuar. I kemi plotësuar të gjitha kushtet, por duket sikur Perëndia nuk është i kënaqur me ne. Ç’duhet të bëjmë më tepër? A duhet të heqim dorë dhe të kthehemi tek feja mondane dhe e mërzitshme, me të cilën kënaqen shumica e njerëzve? Apo duhet të vazhdojmë të trokasim përsëri?

Lutja këmbëngulëse është shenjë sinqeriteti. Perëndia nuk e ka bezdi kur i trokasim në derë dhe i përgjërohemi për rilindje. “Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur, duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri. Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: “Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim”. Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: “Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri, duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë””. Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë. Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre? Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:1-8). Është vështirë të gjendet ky lloj besimi i qëndrueshëm.

Kjo lutje besnike dhe këmbëngulëse na sjell përsëri në fillim të këtij studimi. E vëmë re nevojën urgjente për rilindje dhe vazhdojmë të lutemi, derisa të marrim një derdhje të freskët bekimi prej Frymës së Perëndisë. Duhet t’i shkojmë pas rilindjes, derisa ta gjejmë.

Përfundim
“Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kronikave 7:14).

Të pranuarit dhe të kuptuarit e kushteve nuk sjell rilindje. Duhet të kemi besim dhe të veprojmë. Vallë, sa të madhe e kemi dëshirën për ta parë Perëndinë të veprojë në mes të brezit tonë? A e dëshirojmë një gjë të tillë për të mbushur kishën me njerëz, apo për lavdinë e Perëndisë? Çfarë presim që të bëjë Perëndia mes nesh? A jemi gati t’i zbusim zemrat tona dhe ta lejojmë Atë të veprojë? Po të mos jemi gati, atëherë rilindja do të mbetet vetëm në faqet e librave të historisë.

“Lëroni arën tuaj të djerrë dhe mos mbillni midis ferrave” (Jeremia 4:3).

“Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë” (Hosea 10:12).

Nga Pastor Gary J. Hall

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net