17. Zbulesa



nga: kamenica, botuar me: 20.06.2007

«Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më: as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan…» ZBULESA 21:4


QËLLIMI

Të kuptohen profecitë dhe të përgatitemi për ardhjen e Krishtit…

HYRJA
Libri i fundit i Dhjatës së Re është rregjistrimi i zbulesës që Gjoni mori ndërsa qëndronte në ishullin e Patmosit. Shumë prej kapitujve të këtij libri janë të vështirë për tu kuptuar e shpjeguar. Megjithë disa përjashtime skeleti i këtij libri mund të ndahej në tre pjesë kryesore. Kapitujt 1-3 na prezantojnë udhëzimet e Krishtit ndaj Kishave kryesore të asaj kohe. Kapitujt 4-16 na prezantojnë profecitë kryesore për të ardhmen, ndërsa kapitujt 19-22 gjykimin e fundit dhe përfundimin e gjithë historisë tokësore.

STUDIMI
JEZUS KRISHTI

1. Shkruaj me fjalët e tua paraqitjen e Jezusit ashtu sikurse Gjoni e paraqet në 1:9-20.
2. Si ndryshon ky përshkrim në lidhje me rolin e Tij si Shpëtimtar ndërsa ishte në tokë?

7 KISHAT
1. Emërto 7 Kishat të cilave Gjoni duhej tju shkruante dhe thuaj të paktën 1 mesazh të veçantë që duhej ti jepte secilës.
2. Çfarë cilësish shikoni në Kishën tuaj, e mendoni se kanë lidhje me ato të përshkruara në 7 Kishat e hershme?

NGJARJET E FUNDIT
1. Çfarë ngjarje të mëdha përshkruhen në Zbulesën 19:1-21?
2. Çfarë do të bëhet me Djallin gjatë mbretërimit 1000 vjeçar të Krishtit? (20:1-3)
3. Çfarë do të ndodhë me të në fund të mbretërimit 1000 vjeçar të Krishtit? (20:7-10)
4. Çfarë do të bëhet me jo-besimtarët? (20:11-15)
5. Përmend 3 mënyra në të cilat destini përfundimtar i të krishterëve do të ndryshojë? (21:1-7)

APLIKIMI
A. Si mund të përgatiteni për Ardhjen e Dytë të Krishtit dhe ngjarjeve që do të ndodhin?
B. Më poshtë janë disa prej urdhërimeve dhënë Kishave të hershme. Shkruaj veprimet që ti personalisht do të ndërmarrësh për ti plotësuar këto urdhërime në jetën tënde.

DREJTUAR KISHËS NË… – DOMETHËNIA E EMRIT – VARGJET – PERIUDHA HISTORIKE – MESAZHI KRYESOR
EFFES (ΕΦΕΣΣΟΣ) – E DËSHIRUAR – 2:1-7 – DERI NË 100 PS.K. – KUJTO DASHURINË E PARË..
SMIRNË (ΣΜΥΡΝΑ) – AROMË – 2:8-11 – 100-315 PS.K. – MOS KI FRIKË NGA VUAJTJET..
PERGAM (ΠΥΡΓΟΣ+ΓΑΜΟΣ) – PIRG + MARTESE - 2:12-17 – 315-590 PS.K. – PENDOHU..
TIATIRË (ΘΥΓΑΤΕΡΑ) – BIJË – 2:18-29 – 590-1517 PS.K. – MBAJE FORT BESIMIN..
SARDË (ΥΠΟΛΟΙΠΟ) – E MBETURA – 3:1-6 – 1517-1800 PS.K. – MOS U NDOT..
FILADELFIA – ME DASHURI VËLLAZËRORE – 3:7-13 – 1800-1960 PS.K. – JI I ZJARRTË PËR ZOTIN..
LAODICE (ΛΑΟΥ+ΔΙΚΗ) – POPULL+GJYKIM – 3:14-22 – 1960-DERI NË FUND – “PASUROHU” NË ZOTIN..

- FUNDI I PJESËS SË DYTË TË STUDIMEVE MBI DHJATËN E RE -

PERKTHIM DIREKT NGA ORIGJINALI:

3:14
Dhe ëngjëllit të Kishës në Laodice shkruaj:
Emri Laodice u dha nga Antioku i Dyte (261-246 Pr. K) për hir të gruas së tij Laodices (dhiki + laou = gjykim + popull). Vetë Antioki dërgoi atje Sirianë dhe Judenj nga Babilonia për të banuar. Nga Laodiceja kalonin rrugë të mëdha me rëndësi ushtarake dhe tregëtare duke e bërë atë një pikë strategjike të rëndësisë tepër të madhe.
këto thotë Amini: Për herë të parë në Dhjatën e Re “Amini=i Forcuari, i Sigurti, Besniku, i Vërteti” përdoret si emër i përveçëm, duke lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë pikërisht për Jezus Krishtin. Dhe theksohet se Ai vetë është Krijuesi, Siguruesi dhe Zbatuesi i të gjitha premtimeve të Perëndisë (2 Kor. 1:20). Kjo ikonë paraqet dukshëm diferencën e madhe midis Besnikërisë së Jezusit dhe pabeisisë së Kishës në Laodice.
Martiri, Besniku dhe i Vërteti: Elementë të tjerë të pasaportës së Jezusit, së bashku me “Aminin”, përpara se ti drejtohej Kishës. Martiri – ka të bëjë me vdekjen martire të Jezusit në kryq (1 Tim 6:13, Gjon 18:37) por njëkohëssht edhe me gjithë jetën e tij si martir për Perëndinë me fjalë dhe vepra. Besnik – ka të bëjë me vlerën e dëshmisë së Tij (Filip 2:8) ndërkohë që Laodicenjtë nuk mbetën besnikë në Të. I vërteti – si kundërshtim me dëshminë e rreme të Kishës në Laodice.
fillimi i krijesës (së re) së Perëndisë: Nuk bëhet fjalë këtu për krijimin e parë por për të dytin, për botën e re të të çliruarve që kalon nga Ringjallja e Zotit (2 Kor. 5:17, Gal 6:15) sipas “të ndërtuarve në Krisht” (Ef 2:10). Krishti si rrjedhojë është i pari i kësaj krijese të re (1 Kor 15:20). Është Ai që bëri fillimin e krijesës frymore të Perëndisë me anë të Ringritjes së Tij.
3:15
Pash punët e tua:
Klithmë e Zotit e shoqëruar me rreptësi.
As i ftohtë je, as i ngrohtë: Në një frazë të vogël shprehet krejt drama e një bashkësie njerëzish që ju pëlqen të quhen të krishterë. Me “i ngrohtë” Zoti thekson gjëndjen e dëshirueshme të zemrës së një besimtari. Një zemre që “zjen” për Zotin nga dashuria, ngrohtësia, gjallëria dhe jete frymore në Jezus Krishtin (Rom 12:11, Vep 18:25). Megjithatë Laodicenjtë nuk ishin as njëra e as tjetra.
Duhet i ftohtë të ishe ose i ngrohtë: Gabimi i tmerrshëm që Ladicenjtë bënë ishte se ndoqën radhën e njohur: i ngrohtë – i vakët – i ftohtë. E dinin se “i ngrohtë” ishte idealja, por menduan se edhe “i vakët” nuk prish shumë punë. Zoti veçse nuk kënaqet me zgjidhje të ndërmjetme dhe e ndryshon radhën në “i ngrohtë – i ftohtë – i vakët”. Dhe madje frazën e fundit e përmend me pështirësi. Është e njohur se në rendin frymor më tepër shpresë ka një “i ftohtë” të bëhet “i ngrohtë” sesa një “i vakët” që mendon se është në rregull.
3:16
(por për shkak) se i vakët je:
Gjendje e përzer e së ftohtës me të ngrohtën. Ishte kjo një ikonë e njohur për Laodicenjtë sepse afër tyre në qytetin e Ierapolit gjendeshin burime të ngrohta kuruese. Këto ujëra kalonin edhe afër Laocicesë, por përgjatë rrugës në natyrë të hapur e kishin humbur ngrohtësinë e tyre dhe ishin bërë të vakëta. Ujë që nuk mund të përdorej as p kurim e as për pirje. Në Kisha të tjera Zoti tha: “Kam këtë kundër teje”, kurse këtu thotë: “nuk më pëlqen” (2 Tim 3:5).
(më vjen) të të vjell prej gojës sime: Fjalë të tmerrshme me peshë dhe pasoja të mëdha. Siç është e njohur Zoti përmend emrat e të Tijëve përpara Atit (Rom 8:34), pra ka të Tijët vazhdimisht në gojën e Tij. Në rastin e Laodicesë, e gjithë atyre që i ngjajnë, gjëndja i shkakton pështirësi dhe vjellje.
3:17
sepse thua:
Kujton fariseun që edhe ai thoshte (Lk 18:11). Dhe madje thoshte të vartetën për gjithçka bënte, ashtu si edhe Laodicenjtë për gjithçka kishin, por në të dyja rastet askush prej tyre nuk e njihte gjendjen e vërtetë, për shkak se nuk ishin mësuar të shikonin vetveten me sytë e Perëndisë.
se i pasur jam dhe u pasurova: Nëse do të thoshte vetëm frazën e parë do të kishte justifikimin se është errur nga pasuria materiale. Por me “u pasurova” ngre lart bëmat dhe mundësitë që ka, duke mënjanuar dhe injoruar pasurinë e vërtetë të Perëndisë.
dhe anjë nevojë nuk kam: Është kjo shkalla e fundit e rënimit frymor. Njerëz që dikur kishin dëshmuar besim në Zotin e vërtetë, qorrohen nga të mirat materiale dhe arrijnë, pa e kuptuar, në prag të vdekjes frymore.
(por ti) nuk njeh: Është e natyrshme në fazën që ishte Laodiceja të mos kishte njohje të vetvetes. Bëhet fjalë për atë njohuri (burim i ndërgjegjies) që vjen prej Perëndisë e na hap sytë në momentet e turbullta. Njohuri që hap sytë e shpirtit dhe bën të shikojmë edhe thellësitë më të mëdha dhe të panjohura të vetvetes.
se (ti) je: Laodicenjtë shikonin të tjerët si të mjerë, por Zoti shikonte ata vetë. Me pesë mbieëmra Zoti përshkruan gjendjen e kësaj Kishe. Për tu nënvizuar është se këto karakteristika janë pikërisht antonimet e atyre që Laodicenjtë besonin në vetvete se ishin.
i mjeri=i pafat, dhe qyqari=për të ardhur keq, dhe i varfëri=përsa i përket varfërisë frymore, dhe i verbëri=mungesë e ndjeshmërisë së vlerave frymore, dhe i zhveshuri=i zbuluar, pa veshje mbrojtëse frymërisht.
3:18
të këshilloj:
Frazë e njohur për Laodicenjtë e marrë nga biznesi. Është e mrekullueshme të kesh këshilltar Zotin (Ps 32:8, Is 9:6). Jezus Krishti në përpjekje personale, përpiqet të zgjojë interesin e tyre.
të blesh prej meje: Megjithë pasurinë e tyre materiale, Laodicenjtë nuk mund të blinin atë që ju mungonte, sepse e kërkonin në mënyrë dhe adresë të gabuar. I vetmi që mund të plotësojë boshllëqet frymore është Jezus Krishti (prej meje).
ar të kulluar në zjarr: Duke përdorur përsei terma tregëtar, Krishti nënvizon domethënien e vlerave të tyre. Ari psh, simbolizon gjendjen mbretërore, gjithashtu edhe natyrën e Perëndisë në të cilën na bëri pjesmarrës (2 Pj 1:4). Ka të bëjë me Fjalën e Perëndisë, dhe pasurinë e premtimeve të Tij. Kjo është pasuria e vërtetë në krahasim me pasurinë materiale që ata kërkonin. Gjihsesi në të njëjtin kontekst, Zoti rikujton se kjo pasuri nuk arrihet me zgjuarsi dhe mjete njerëzore, por me mardhënie të një besimi të vërtetë dhe një zemre të pastër (1 Pj 1:7).

që të pasurohesh: dmth, megjithë ato që ke arritur deri tani nuk je aspak i pasur. Do të pasurohesh vetëm nëse merr atë që besimi në personin e Jezus Krishtit merr si dhuratë. A mundet paraja të blejë lumturinë, apo mundet të sjellë paqe në shpirt? A mund ta zgjasë jetën tonë qoftë edhe një ditë, apo të na dhurojë jetë të përjetshme?
petka të bardha: dmth drejtësinë e Jezus Krishtit. Pa drejtësimin që Krishti nëpërmjet kryqit na dhuron, nuk është e mundur për askënd të bëhet pjesmarrës i jetës së perëndishme. Tjetër person, tjetër rrugë dhe tjetër mënyrë për të merituar praninë e Perëndisë nuk egziston (Is 59:17, Gj 14:6, Vep 4:12).
që të mbulohesh dhe të mos duket: tregon planin e përkryer të Perëndisë për zgjidhje të plota. Mbulim dhe mbrojtje të plotë, e jo sikundër gjethet e fikut në Edem, që ishin një zgjidhje njerëzore dhe e përkohshme. Është një paralajmërim për ata që mbështeten në drejtësimin personal. Rikujtohet se Dita e Gjykimit do të zbulojë çdo të fshehtë të zemrës (1 Kor 4:5).
turpi i lakuriqësisë sate: Fryti i drejtësimit njerëzor, i atyreve që mbështeten në veprat e tyre do të jetë turp përpara Perëndisë. Në kohën e lashtë njerëzit që prezantoheshin në gjysh i vishnin me rroba të zeza. Nëse dilnin fajtorë i zhvishnin dhe mbeteshin lakuriq, e nëse dilnin të pafajshëm jua hiqnin robën e zezë dhe i vishnin me një petk të bardhë. Perëndia që tani i ofron gjithsecilit pafajësinë dhe petkun e bardhë. Nëse përpiqemi me robën e zezë të gjejmë drejtësim më mënyrat tona, përfundimi d të jetë i tmerrshëm.
dhe kolir të lyesh sytë e tu që të shikosh: Laodiceja ishte një qytet tepër i njohur për shkollën e mjekësisë dhe farmacitë e famshme për sëmundjet e syve. Koliri (bar për sytë) përfaqson Frymën e Shenjtë që ka mundësinë të pastroje dhe shërojë, e njëkohësisht të na hapë sytë e shpirtit që të shikojmë vlerat e vërteta frymore. “që të shikosh” është gjëndje e vazhdueshme. Jo vetëm për një herë në një moment, për një objektiv të caktuar.
Laodiceja ka shumë flori por megjithatë është e varfër. Ka copa pëlhure të bukura e të çmuara në të gjithë botën, e megjithatë është e zhveshur. Ka ilaçin më të mirë për të shëruar sytë, e megjithatë është e verbër. Të vërtetat i ofron vetëm Krishti, jo me masë, por i mbushur plot dashuri. Të këshilloj !
3:19
Unë, të gjithë ata që dua: Sa fjalë të ëmbla këto. Megjithëse kaq të rënë, zoti përsëri ka dashuri për Laodicenjtë. Zoti ofron dashurinë e vërtetë të miqësisë dhe i thërret që të mendohen përsëri dhe të “rrëmbejnë” okazionin që ju ofrohet.
i kontrolloj dhe edukoj: Do të thotë ndriçoj një gjendje duke derdhur dritë prej së larti. Dhe për shkak se kjo Dritë është E Vërteta e Tij, nxjerr në pah dhe shfaq gjendjen e vërtetë të zemrës me fjalën “edukoj”. Vetëm kur një shpirt është i ndriçuar me Dritën e Perëndisë, vetëm atëherë fillon njeriu pas çdo veprimi të shikojë Dorën e Perëndisë, e të mësoje e edukohet.
dëshiroji pra (këto) me zili dhe pendohu: Le të shikojmë me kujdes urdhëroret e foljeve. Dëshiroji me zili… paraqitet në formën e vazhdimësisë, ndërsa “pendohu” ka të bëjë me një çast, një moment, kur kthehesh në Zotin, kërkon falje të sinqertë dhe pranon Hirin e Tij për vazhdimin e një jete të shenjtë.
3:20
(Ja) qëndroj përpara portës dhe thërras: Këto fjalë nuk janë vetëm për ungjillizim, por më tepër për dikë që ka rënë dhe dëshiron të ringrihet. Zoti përshkruan momentin që një vizitor vjen në shtëpi. Kam qëndruar, thotë, në këmbë përpara portës. Zoti është përpara portës i mbështetur në të (*epi). Krishti është shumë afër zemrës por jo brenda. Për shkak se më poshtë përmend zërin, kuptimi i foljes (kruo) është edhe trokas, por edhe thërras që të bëhem i dukshëm tek i zoti i shtëpisë. Kjo folje ka kuptimin e vazhdimit. Është një ftesë e vazhdueshme, e durueshme dhe personale.
Nëse e dëgjon zërin tim dhe e hap portën: Bëhet fjalë për një ftesë personale, për shkak se Zoti nuk detyron askënd. Besimi vejn nga dëgjimi (Rom 10:17). Punën nuk e bëjnë njerëzit por Zoti vetë. Këtu bëhet fjalë nëse e dëgjojmë zërin e Tij nëpërmjet punës së Kishës (1 Kor 3:6). Kur flitet për hapjen, bëhet fjalë për një veprim të cilin gjithsecili duhet ta bëjë personalisht. Ky është hapi i parë.
hyj tek ai, dhe ha darkë me të dhe ai me Mua: Nëse e lejojmë Ai do të hyjë brenda. Fatkeqsisht shumë njerëz nuk e kanë mirekuptuar këtë pikë, duke u veshur me një “kostum” prej besimtari të zellshëm përsa kohë janë në Kishe e duke e lënë vazhdimsht Krishtin jashtë gjatë pjesës tjetër të jetës së përditshme. “Ha darkë” ka të bëjë zakonisht me ushqimin kryesor pas një periudhe (pune) të lodhshme. Është kuptimi i ushqimit më të mirë dhe kryesor. Kujtoni shembullin e babait tek “Djali Plangprishës”… (Lk 15:23-24). Le të kemi kujdes veçse edhe një ikonë të dyfishtë që na paraqitet këtu. Së pari, ne ofrojmë atë që kemi në tryezën festive. I ofrojmë Perëndisë kohën tonë, punën tonë, shërbimin etj.. si temjan erëmirë ndaj Tij. Menjëherë pas kësaj Ai na ofron gjithë pasurinë e bekimeve të Tij (Ef 1:16-23, 3:14-21). Tani mund të kuptojmë madhështinë e kësaj mar-dhënieje, e të kuptojmë ku ngec jeta jonë dhe e Kishës sonë në këtë prizëm.
3:21
Fituesit do ti jap të ulet me Mua mbi Fronin Tim, sikurse edhe Unë fitova dhe u ula bashkë me Atin Tim mbi Fronin e Tij: Ka të bëjë me fitim të vazhdueshëm. Çfarë nderi të madh Zoti na ofron, që të ndajë me njerëzit që dikur e shanë dhe e ofenduan, Fronin e Tij të lavdisë së përjetshme. Veçse nuk harron të na japë edhe një masë të fitores. Sikundër Ai fitoi. Dmth me bindje të vhazhdueshme ndaj atit dhe duke e ruajtur veten e Tij të pamëkat.
Duhet të përmëndet se ky është premtimi më i madh që ju dha ndonjëherë ndonjë Kishe në krahasim me 6 të tjerat. Dhe mendoni se kujt Kishe ia premton këtë lavdi. Asaj që ishte “e vakët” për shkak të ngatërresës së saj me botën dhe prioriteteve të saj. Lavdia i qoftë Perëndisë.
3:22
Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë Fryma u thotë Kishave: Mënyra hyjnore që e tërheq njeriun drejt një zgjimi të vërtetë frymor. Këtu u drejtohet të gjithë besimtarëve të kësaj Kishe, në mënyrë personale (kush, cili). Fryma ka të bëjë me Frymën e Shenjtë. Si përfundim i kësaj letre na jepet një çelës frymor, që na drejton të kërkojmë sa herë që kërkojmë të mësojmë diçka të re, nëse është prej Frymës së Shenjtë, ai prej ndonjë fryme tjetër. Fryma e Shenjtë shfaqet dukshëm nëpërmjet Biblës. Le të organziojmë kohën tonë në mënyrë të tillë, që Zoti të na flasë çdo moment.

ZOTI JU UDHËHEQTË E DREJTOFTË NË TË GJITHA RRUGËT TUAJA
AMIN

Per nje pamje sa me te mire, mund ta shihni ose shkarkoni studimin e mesiperm direkt nga PDF file.
17. Zbulesa


per autorin: